Platforma për statistika të aplikuara në futboll, Football Meets Data, ka publikuar simulime dhe probabilitete për kombëtaret e rrugës C lidhur me kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.
Gjatë ditës së enjte u hodh shorti në Cyrih për të përcaktuar çiftet e gjysmëfinaleve dhe finaleve të fazës ‘play-off’. Kosovës i ra shorti për t’u ndeshur me Sllovakinë në gjysmëfinale, një ndeshje që pritet të zhvillohet në Bratislavë. Në rast fitoreje, Kosova do të luajë në finale si nikoqire kundër fituesit të ndeshjes Turqi–Rumani.
Sipas simulimeve të Football Meets Data, Turqia shihet si favorite e rrugës C: ka 83% gjasa për të fituar gjysmëfinalen dhe 48% për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.
Sllovakia ka 58% shanse për të fituar gjysmëfinalen ndaj Kosovës, ndërsa Kosova 42%. Për kualifikimin në Botëror, Kosova ka 20% gjasa, kurse Sllovakia 26%.
Kombëtarja me gjasat më të ulëta sipas këtyre simulimeve është Rumania, me 17% shanse për të fituar gjysmëfinalen dhe 6% shanse për t’u kualifikuar në Botëror.
Ndeshjet gjysmëfinale janë paraparë të zhvillohen më 26 mars 2026, ndërsa finalet më 31 mars 2026.
Burimi: Telegrafi