SHBA ofrojnë trajnim për Gardën e Republikës në mbrojtjen e zyrtarëve, përfshirë prokurorët e SPAK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar asistencë të specializuar për Gardën e Republikës së Shqipërisë, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe prokurorët e SPAK.

Në një njoftim të Ambasadës amerikane në Tiranë bëhet e ditur se tetë anëtarë të Gardës kanë përfunduar një trajnim të avancuar taktik, të mbajtur nga Shërbimi Sekret i SHBA-së në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit (ILEA) në Budapest.

Sipas ambasadës, ky trajnim ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe rritjen e profesionalizmit në mbrojtjen e personaliteteve të drejtësisë dhe qeverisë shqiptare.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjithashtu ofron pajisje taktike dhe është krenare që zhvillon trajnime të rregullta me individët e guximshëm që mbajnë të sigurt zyrtarët e drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partner kyç në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht në mbështetje të funksionimit të SPAK dhe organeve të tjera ligjzbatuese.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *