Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka shënuar 20-vjetorin e Agjendës për Barazi Gjinore me konferencën ndërrajonale “30 vjet pas Pekinit”.
Në këtë ngjarje morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani theksoi se barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm një premtim apo një deklaratë në letër, por një angazhim dhe veprim i përditshëm. Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të mbështesin gratë dhe vajzat, të thyejnë heshtjen dhe të jenë të bashkuar kundër padrejtësive.
“Barazia gjinore nuk është fjalë në letër apo premtim zgjedhor. Ajo është një betim dhe veprim i përditshëm. Duhet të jemi zëri që thyen heshtjen, duart që mbështesin njëra-tjetrën, zemrat që nuk dorëzohen përballë padrejtësisë. Vetëm kështu ecim përpara. Le të qëndrojmë të palëkundur në këtë mision, që asnjë vajzë apo grua të mos jetojë nën hijen e frikës,” tha Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për të thyer ciklin e varfërisë tek gratë, duke bërë të ditur se mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes programeve të punësimit.
“Sot riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleat i palëkundur i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Edhe pse si Republikë jemi shtet i ri, angazhimet e platformës së Pekinit janë përkthyer në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave. Më shumë se 12 mijë gra janë punësuar përmes programeve tona,” u shpreh Kurti.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm në trajtimin e dhunës ndaj grave, përmes hartimit të kurrikulave profesionale dhe forcimit të mekanizmave lokal.
“Aktualisht kemi vendosur themelet e Programit Kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, kemi zhvilluar kurrikula për profesionalizimin e trajtimit, forcuar mekanizmat lokal dhe hapur rrugën për punësim institucional për gratë e mbijetuara nga dhuna – për herë të parë në Ballkan,” deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se këtë vit përkujtohen dy momente të rëndësishme në politikën ndërkombëtare: 30-vjetori i Deklaratës së Pekinit dhe 25-vjetori i Rezolutës 1235 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë. Sipas saj, këto dokumente jo vetëm që dhanë drejtim politik, por edhe e bënë të detyrueshëm veprimin konkret nga shtetet.