Shkëndija synon kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë

Shkëndija e Tetovës do të zhvillojë nesër një ndeshje vendimtare në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Takimi ndaj Tikveshit do të luhet të mërkurën në ora 13:00, në Stadiumin e Qytetit në Tetovë, dhe do të jetë me sistem eliminimi direkt.

Kjo ndeshje është shtyrë dy herë për shkak të angazhimeve të Shkëndijës në Ligën e Konferencës. Tani, kuqezinjtë rikthehen në Kupë me synimin për t’u kualifikuar në çerekfinale, në një garë që e kanë vlerësuar si prioritare.

Skuadra e trajnerit Beqiri po konkurron në tre fronte këtë sezon: në kampionat, në Kupë dhe në garat evropiane. Objektivi në Kupë mbetet i qartë – triumfi final. Shkëndija e ka fituar këtë trofe dy herë më parë, në vitet 2016 dhe 2018.

Në fazën e 1/16-ës, Shkëndija shënoi një fitore bindëse 9:0 ndaj Jeni Maales. Ndërkohë, Tikveshi – fitues i Kupës së këtij viti – eliminoi Skopjen me rezultatin 1:0.

Sa i përket formacionit, Shkëndija përballet me disa mungesa. Portieri Baboucarr Gaye është ende në rikuperim. Reshat Ramadani është me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut, kurse Anes Meliqi pritet të ribashkohet me ekipin nesër pas angazhimeve me U21. Imran Fetai mbetet në dyshim për shkak të një dëmtimi. Lajmi pozitiv për ekipin është rikthimi i Klisman Cakes, i cili pas ndeshjes Shqipëri–Angli i është bashkuar skuadrës dhe është në dispozicion për përballjen.

Shkëndija synon të përfitojë nga avantazhi i fushës për të vazhduar rrugëtimin drejt trofeut të Kupës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *