Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar pas publikimit të një lajmi nga mediat, ku thuhej se prokurori Besim Kelmendi ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se shpërndarja e informacioneve të paverifikuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre në opinion publik mund të krijojnë perceptime të rreme dhe të dëmshme për Prokurorin e Shtetit, duke e cilësuar këtë qasje si të papranueshme.
“Sqarojmë se prokurori i Shtetit paraqitet para çdo organi kompetent sa herë që kërkohet, në cilëndo cilësi procedurale, dhe kjo është pjesë normale e funksionimit të sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagim.
Shoqata u bën thirrje mediave që të respektojnë standardet profesionale, të raportojnë me korrektësi dhe të shmangin spekulimet. Sipas saj, përdorimi i rasteve procedurale për ndërtimin e narrativave të pabazuara cenon besimin në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim, Shoqata rithekson se Prokurori i Shtetit e ushtron detyrën me profesionalizëm, pavarësi dhe integritet, dhe se çdo përpjekje për të cenuar dinjitetin e tij profesional do të përballet me kundërpërgjigje institucionale.