Shpend Ahmeti kërkon dialog urgjent mes Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës për krizën financiare

Në një lidhje telefonike në emisionin Debat Plus, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkoi dialog të menjëhershëm mes Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës për zgjidhjen e krizës financiare, duke e cilësuar situatën “të papranueshme”.

Ai tha se kompromisi mund të arrihet vetëm përmes një takimi të drejtpërdrejtë: “Pa u taku, nuk mund ta dimë kush duhet të lëshojë pe. Nëse takohen, zgjidhja gjendet. Ka hapësirë brenda dy javësh.”

Ahmeti kujtoi se gjatë mandatit të tij ka pasur mospajtime me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, por takimet kanë ndodhur gjithmonë: “Kurrë s’ka ndodh mos me u taku. Edhe kur kemi pas kundërshtime, kemi kërkuar zgjidhje.”

Ai përmendi edhe pasoja të drejtpërdrejta të bllokadës financiare: “Tri shkolla janë pa rrymë, nuk janë paguar buka, rryma, as shërbimet. Autobusat janë damtu – ai është dëmi më i vogël.”

Sipas tij, Qeveria po mban qëndrim të ngurtë: “Mendoj që qeveria po tregohet shumë e ngurtë. Ka detyrë të takohet me komunën.”

Në përmbyllje, Ahmeti theksoi se politika nuk bëhet me postime në rrjete sociale: “Nuk bëhet politikë me statuse në Facebook. Takohemi edhe me Serbinë – e mos me u taku mes vete është krim i madh.”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *