Shpend Ahmeti reagon pas deklaratës së Abdixhikut për Kurtin si ‘Don Kishot’

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili sot në Kuvend e përshkroi kryeministrin Albin Kurti si Don Kishot.

Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti tha se qeverisja e Kurtit ka shumë pika për t’u kritikuar, por përdorimi i krahasimit me Don Kishotin nuk është domosdoshmërisht kritik.

“Qeverisja e Kurtit ka shumë gjëra për t’u kritikuar, por ta quash Don Kishot nuk jam i sigurtë se është kritikë,” shkroi Ahmeti.

Ai sqaroi se personazhi Don Kishot i autorit Cervantes është një idealist i çmendur, ndërsa mesazhi kryesor i librit është se vetëm njerëz të tillë kanë guximin të ndryshojnë botën për mirë.

Sipas Ahmetit, kjo etiketë mund të shihet si kritikë vetëm në një këndvështrim cinik që e pranon realitetin si të pandryshueshëm.

“Në fjalët e Cervantes, kur njeriu humb idealin, vdes shpirtërisht. Jam i sigurt se Kurti nofkën Don Kishot e sheh si kompliment,” shtoi ai.

Ky reagim vjen pasi Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, e akuzoi Kurtin se po udhëheq vendin me një qasje të shkëputur nga realiteti.

“Fatkeqësisht, shteti ynë ka kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri – Albin Kurti. Sikurse Don Kishoti i Cervantesit, edhe Albin Kurti zgjohet çdo ditë në një botë që e ka krijuar vetë dhe aty sheh vetëm kundërshtar,” tha ndër të tjera Abdixhiku, duke e akuzuar Kurtin për polarizim dhe përçarje politike.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *