Dështimi për formimin e qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit do ta çojnë Kosovën në vitin e ri me kufizime buxhetore, duke lënë në dispozicion vetëm 1/12-tën e buxhetit (8.33%). Për të shmangur bllokadën, legjislatura e dhjetë, që pritet të dalë nga zgjedhjet më 28 dhjetor, duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.
Shpërndarja e legjislaturës së nëntë pas dështimit për formimin e qeverisë krijon kufizime në përdorimin e mjeteve buxhetore për kalimin në vitin e ri. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike përcakton procedurat dhe kufizimet kur vendi hyn në vitin fiskal pa një buxhet të ri të miratuar.
Neni 24 saktëson se, në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje parlamentare në katër muajt e fundit, ligji i ndarjeve buxhetore i vitit të mëparshëm zgjatet për të mbuluar muajin e parë të vitit fiskal. Në këtë mënyrë sigurohet për çdo organizatë buxhetore një ndarje e barabartë me 8.33% të ndarjes së parashikuar për të nga ligji i vitit të mëparshëm.
Për të shmangur bllokimin e pagesave dhe problemet financiare, legjislatura e dhjetë duhet të miratojë buxhetin e ri përpara fundit të shkurtit 2026.
Profesori i ekonomisë Shkumbin Misini i quajti të papërgjegjshëm vendimmarrësit dhe përmendi pasojat e pritshme, nga vështirësimi i jetës së qytetarëve deri te ndikimi në investime. “Ka deadline të cilat i kanë kompanitë kontraktuese dhe të cilat, nëse nuk bëhet pagesa, automatikisht shkojnë me penalti… Ne problemin tjetër do ta kemi pas zgjedhjeve; përsëri një krizë e tillë ka me shku me muaj të tërë të arrihet ndonjë marrëveshje, sepse nuk e kemi të sigurt konstituimin e Kuvendit. Ne jemi mësuar me politikanët tanë; janë të papërgjegjshëm”, tha Misini.
Profesori tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, vlerësoi se kufizimet buxhetore që shfaqen në fillim të vitit nuk janë faj i ligjit apo i institucioneve që i zbatojnë ato, por rezultat i mosmarrëveshjeve politike mes partive: “Këtu nuk ka faj ligji e as institucionet që i mbrojnë ato parime, por ky është vetëm problem politik, që partitë politike e kanë sjellë situatën çfarë është, një situatë aspak e lakmueshme”, tha Kadrijaj.
Të enjten pasdite, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se kishte propozuar partive që, para shpërndarjes së Kuvendit, të mbajnë një seancë ku të trajtohet çështja e buxhetit dhe zgjatja e tij për së paku tre muaj.
(Raportim nga TV Dukagjini)