Jo të gjitha lidhjet janë të destinuara të zgjasin. Disa ekzistojnë për të na mësuar diçka për veten, për marrëdhëniet dhe për kufijtë tanë. Megjithatë, ndarjet rrallë kalojnë lehtë. Shumë individë ndiejnë pendim pas përfundimit të marrëdhënies, një fazë që ekspertët e quajnë “mamurllëku pas ndarjes”, e karakterizuar nga nostalgjia dhe rishikimi i së kaluarës.
Kjo nuk do të thotë se ndarja ka qenë një vendim i gabuar. Truri ynë është i ndërtuar të ndjejë dhimbje ndaj humbjes, edhe kur e kemi marrë vetë vendimin. Ndjenjat si trishtimi apo mallëngjimi janë të zakonshme dhe mund të çojnë në rritje personale.
Neuroshkencëtarja Alexandra Stratyner nga Nju Jorku shpjegon se njerëzit shpesh kujtojnë vetëm momentet e bukura pas ndarjes, duke ndjerë trishtim. Por, sipas saj, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se ekziston dëshira për t’u kthyer pas, pasi ndonjëherë mungesa lidhet vetëm me ndjenjën e afërsisë.
Pauza dhe reflektimi janë hapa të parë të rëndësishëm. Duhet të pyesni veten se nga vjen pendimi dhe çfarë në të vërtetë ndiejmë. Nëse emocionet janë ende të forta dhe mund të lini pas problemet që kanë shkaktuar ndarjen, atëherë mund të shqyrtohet kontakti me ish-partnerin. Por, më parë është e domosdoshme që të punoni me veten – me ndjenjat, gabimet dhe nevojat tuaja.
**Si ta kuptoni nëse pendoheni vërtet pas ndarjes**
Nëse vazhdimisht mendoni për lidhjen dhe për ngjarjet e kaluara, kjo është shenjë që ndoshta nuk e keni përmbyllur emocionalisht atë. Truri i percepton dhimbjen e ndarjes në mënyrë të ngjashme me periudhën e rënies në dashuri, ndaj mendimet obsesive janë të zakonshme. Edhe nëse jeni ju që e keni përfunduar lidhjen, ndjenja e pendimit është e natyrshme. Edhe kur nuk mendohet për një rikthim, shërimi me veten është i domosdoshëm.
**Si të përballeni me pendimin pas ndarjes**
**1. Jini të sinqertë me veten**
Reflektoni: A ishte vendimi i nxituar? Si ka ndryshuar jeta juaj pas ndarjes? A ishte ndarja rezultat i një situate specifike? Kërkoni mendimin e të afërmve, pasi ata shpesh shohin më qartë sjelljet tona. Nëse mendoni të rindërtoni lidhjen, fillimisht shkruani arsyet që çuan në ndarje dhe jepni vetes kohë para kontaktimit.
**2. Analizoni marrëdhënien**
Vlerësoni marrëdhënien pa gjykim. A ekzistonin modele të dëmshme? A ishit të sinqertë për nevojat dhe ndjenjat tuaja? Është e rëndësishme të pranoni 100% përgjegjësinë për sjelljen tuaj në lidhje.
**3. Mos e fajësoni veten**
Pendimi është normal, edhe kur ndarja ka qenë e drejtë. Pranoni ndjenjat dhe lejoni vetes hapësirë për të ndier. Kjo është shenjë e mirëqenies emocionale.
**4. Ngrini vetëdijen për modelet tuaja**
Nëse keni tendencë të jeni të ankthshëm apo të dyshoni në vendimet tuaja, kjo mund të ndikojë në përjetimin tuaj pas ndarjes. Analizoni sjelljet që përsëriten në marrëdhënie dhe mënyrën se si lidheni dhe ndaheni.
**5. Përdoreni pendimin për zhvillim personal**
Çdo marrëdhënie, edhe ajo që përfundon, është një mundësi për të mësuar. Praktikoni aftësitë emocionale dhe të komunikimit që do të ju ndihmojnë në të ardhmen.
**6. Shkëputuni nga modelet e vjetra**
Shumë sjellje janë të ndikuara nga pritshmëritë sociale apo përvoja të mëparshme. Me vetëdije dhe reflektim, këto modele mund të ndryshohen.
**7. Kërkoni një përmbyllje**
Nëse ndiheni gati, mund të bisedoni me ish-partnerin, por vetëm me qëllim të qartë. Shprehni se përse po kontaktoni: për të mbyllur historinë apo ndoshta për t’u pajtuar. Nëse pala tjetër nuk pranon, respektoni kufijtë e tyre.
Në rast se komunikimi nuk është i mundur, shkruani një letër personale për të përmbyllur me fjalë ndjenjat, mësimet dhe pritshmëritë për lidhjet e ardhshme.
/Telegrafi/