Sllovakia: Nuk e njohim mirë Kosovën, por besojmë te tifozët për kualifikim

Sllovakia pranon se nuk e njeh mirë Kosovën, por shpreh optimizëm se me ndihmën e tifozëve mund të kualifikohet në finalen e play-offit. Kosova do të jetë mysafire e Sllovakisë në mars. Nëse e eliminojnë Sllovakinë, do të presë fituesin e takimit Turqi–Rumani në Prishtinë.

Pas shortit, te ekipet sllovake mbizotëron optimizmi për eliminimin e Kosovës, megjithatë është pranuar se njohja për skuadrën dardane mbetet e kufizuar.

Asistenti i përzgjedhësit, Simone Bonomi, lavdëroi Kosovën për paraqitjet e fundit dhe për fitoret si mysafire: “Kosova është padyshim kundërshtar i pakëndshëm. Në këto kualifikuese e mposhtën dy herë Suedinë, fituan me Slloveninë, skuadër që e njohim. Kanë lojtarë të mirë si Rrahmani, Muriqi, Vojvoda e të tjerë.” Bonomi shtoi se për herë të parë ekipi është kaq pranë kualifikimit në Kupën e Botës, gjë që u jep lojtarëve entuziazëm, dhe se fakti që Sllovakia do të luajë si vendas mund të jetë avantazh.

Sulmuesi Ivan Schranz tha se nuk ka favorit të qartë nga kundërshtarët e shortit dhe shpreson te mbështetja e tifozëve: “Nuk kisha favorit nga këta katër kundërshtarë, secili është shumë i fortë. E kemi Kosovën, prandaj e pranojmë, edhe pse nuk dimë shumë për këtë skuadër aktualisht.” Ai shtoi se deri në mars ekipi do të mbledhë shumë informacione dhe do të analizojë kundërshtarin në mënyrë të detajuar: “Jam i kënaqur që luajmë në shtëpi, besoj se tifozët do të jenë në numër të madh dhe do të qëndrojnë prapa nesh.”

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Sllovake, Peter Palencik, vlerësoi Kosovën si një skuadër të fortë: “Kosova është një kundërshtar i panjohur, por bazuar në rezultatet e kualifikueseve duhet ta respektojmë. Fakti që ndeshja e dytë mund të luhet në shtëpi na bën të kënaqur, pasi kështu nuk do të duhet të udhëtojmë për ndeshjen vendimtare.”

Burim: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *