Sot hidhet shorti për ‘play-off’-in e Kupës së Botës 2026: Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtarët

Shorti për fazën ‘play-off’ të Kupës së Botës 2026 do të mbahet sot (e enjte) në orën 13:00 në selinë e FIFA-s në Cyrih. Gjatë këtij shorti, kombëtaret e Kosovës dhe Shqipërisë do të mësojnë kundërshtarët e tyre në gjysmëfinale dhe, nëse kualifikohen, në finale.

Procesi i shortit përfshin dy pjesë. Fillimisht do të zhvillohet shorti për barazhin ndërkontinental, ku gjashtë ekipe do të luftojnë për dy vende të mbetura në turne. Bolivia, Xhamajka, Kaledonia e Re dhe Surinami do të përballen në gjysmëfinale, me fituesit që do të luajnë në finale ndaj Irakut dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Ndërkohë, për zonën evropiane janë në garë 16 përfaqësuese që do të konkurrojnë për katër vende në Kupën e Botës. Ekipet janë ndarë në katër vazo:
– Vazoja 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina
– Vazoja 2: Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Uellsi
– Vazoja 3: Bosnje e Hercegovina, Irlanda, Kosova, Shqipëria
– Vazoja 4: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut

Do të formohen katër grupe ‘play-off’, secili me tre ekipe. Në gjysmëfinale, ekipet nga vazo e parë do të presin ato nga vazo e katërt, ndërsa skuadrat nga vazo e dytë do të përballen me ato nga vazo e tretë.

Fituesit e gjysmëfinaleve të secilit grup do të takohen në finale, me vendin pritës që do të përcaktohet me short. Kjo nënkupton se Kosova dhe Shqipëria do të jenë mysafire në gjysmëfinale ndaj një prej ekipeve të vazo së dytë: Republikës Çeke, Sllovakisë, Polonisë ose Uellsit.

Shorti i sotëm do të përcaktojë gjithashtu nëse, në rast kualifikimi, Kosova apo Shqipëria do të jenë pritëse apo mysafire në finalen e mundshme. Ndeshjet e ‘play-off’-it do të luhen në mars të vitit 2026.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *