Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2025.
Sipas ASK-së, krahasuar me tetor 2024, vërehen ndryshime të konsiderueshme në numrin e përfituesve të skemave sociale. Ka rritje të dukshme të familjeve që marrin përkrahje financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara, me +11,9%.
Rënie të numrit të përfituesve janë regjistruar në skemat e mëposhtme: pensionet invalidore (-26,8%); pensionet e Trepçës (-20,6%); pensionet familjare (-11,2%); ndihma sociale (-10,9%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,8%); dhe pensionet kontribut-paguesve të moshës (-1,7%).
Ndërkaq, rritje të përfituesve nga disa skema të pensioneve janë regjistruar si më poshtë: përkrahje financiare për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara (11,9%); Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (11,6%); pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,0%); pensionet bazike të moshës (7,1%); kompensimi për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri 1998/99 (5,0%); pensionet për personat me aftësi të kufizuara (3,6%); kompensimet për personat e verbër (0,4%); pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (1,2%); dhe skema për veteranët e luftës (0,4%).