Struga Trim Lum fitoi 1:3 ndaj Rabotniçkit në Shkup dhe vazhdoi garën për titull, duke mbetur ndjekësja e vetme e Vardarit, njofton Telegrafi.
Skuadra e Strugës ishte favorite dhe u rikthye me tri pikë nga udhëtimi në kryeqytet. Ndeshja nisi me presion të fortë të ekipit mysafir, që solli golin e parë në minutën e 11-të: pas një aksioni të rrezikshëm, topi mbeti te Stefan Jeftoski në hyrje të zonës dhe ai e dërgoi në rrjetë për 0:1.
Dominimi i Strugës vazhdoi dhe erdhi edhe goli i dytë. Pas një kombinimi të mirë, Kristijan Maleski u gjend i vetëm përballë portierit dhe me një gjuajtje të fuqishme në këndin e sipërm rriste epërsinë në 0:2.
Dy golat zgjuan Rabotniçkin, që mori iniciativë dhe kaloi në gjysmën e fushës së kundërshtarit. Florent Kadriu pati një mundësi të mirë për të ngushtuar rezultatin, por portieri i Strugës, Marco Angeletti, reagoi dhe priti gjuajtjen.
Pjesa e dytë nisi me ndryshim rezultati: në minutën e 54-t, Dimitar Trajkov, me asistim të Kadriut, shënoi me kokë për 1:2.
Përfundimisht, vendimtar ishte momenti në minutën e 70-të kur pas shqyrtimit me VAR u akordua penallti për Strugën. Shabani e realizoi saktë nga pika e bardhë dhe vulosi fitoren 1:3.
Java e 14-të e Ligës së Parë mbyllet nesër me duelin e shtyrë Shkupi – Pelisteri, i cili luhet nga ora 13:00 në Strugë. /Telegrafi/