Shumë faqe interneti dhe platforma të mediave sociale, përfshirë Facebook, X dhe aplikacionin muzikor Spotify, kanë dalë jashtë funksionit për mijëra përdorues. Ndërprerja vjen pasi një sulm i përmasave të mëdha ka goditur infrastrukturën digjitale globale.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, në një reagim në Facebook, deklaroi se bëhet fjalë për sulmin më të madh të tipit DDoS (Distributed Denial of Service) të regjistruar ndonjëherë.
“Sulmi më i madh DDoS deri tani. Dje ishim dëshmitarë të një sulmi me 3.64 miliardë paketa në sekondë dhe 15.72 terabit në sekondë. Ky sulm goditi infrastrukturën e Azure dhe erdhi nga një ‘botnet’ i klasës Mirai (Asiru). Sot, Cloudflare pësoi ndërprerje të sistemit (ende nuk dihen të gjitha detajet), duke ndikuar në një pjesë të madhe të internetit global,” shkroi Doli.
Ai thekson se përdorimi i inteligjencës artificiale gjenerative po e ndryshon rrënjësisht peizazhin e sulmeve kibernetike, duke shtuar jo vetëm mënyra të reja sulmi, por edhe sofistikimin e tyre.
“Po hyjmë në një epokë të luftës hiper-të automatizuar. Pyetja nuk është më vetëm ‘a jemi të sigurt?’, por a mundet mbrojtja njerëzore të mbajë hapin me shpejtësinë e sulmeve të drejtuara nga AI?”, shton më tej Doli.
Mediat e huaja raportojnë se platformat e prekura kanë serverin e tyre të hostuar nga Cloudflare, një ofrues shërbimesh që mbron faqet kundër sulmeve kibernetike dhe ndihmon në përshpejtimin e ngarkimit të përmbajtjes.
Sipas shërbimit Downdetector, mijëra probleme janë raportuar me Cloudflare gjatë kësaj ndërprerjeje. Kompania ka bërë të ditur në faqen e statusit se inxhinierët janë duke hetuar problemin, i cili mund të ndikojë në një numër të madh klientësh. Detaje të tjera pritet të publikohen sapo të jenë të disponueshme.