Sundar Pichai: Asnjë kompani nuk është imune ndaj një flluske të mundshme të inteligjencës artificiale

Shefi ekzekutiv i kompanisë mëmë të Google, Alphabet, Sundar Pichai, ka deklaruar se asnjë kompani nuk do të jetë e paprekur nëse flluska e investimeve në inteligjencën artificiale (IA) do të shpërthente. Në një intervistë ekskluzive për BBC, ai tha se investimet masive në këtë fushë shënojnë një moment të jashtëzakonshëm, por ekziston edhe një element irracionaliteti.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur shqetësimet në Silicon Valley dhe më gjerë për një flluskë të mundshme janë në rritje, për shkak të rritjes së ndjeshme të vlerës së kompanive që merren me IA dhe investimeve të mëdha që po realizohen në këtë industri.

I pyetur nëse Google mund të përballojë një shpërthim të tillë të flluskës, Pichai tha se “asnjë kompani nuk do të jetë imune, përfshirë edhe ne”. Megjithatë, ai nënvizoi se modeli i Alphabet – që përfshin kontrollin e plotë të teknologjive, nga prodhimi i çipave deri te shfrytëzimi i të dhënave nga YouTube – e vendos kompaninë në një pozitë më të mirë për të përballuar çdo turbullirë të mundshme në tregun e IA-së.

Ai e krahasoi momentin aktual me bumet e mëparshëm teknologjikë, duke përmendur investimet e tepërta në internet në vitet 1990 dhe ngritjen e dotcom-it. “Kur shohim pas, askush nuk vë në dyshim ndikimin e thellë të internetit, dhe pres që IA të jetë njësoj”, tha ai.

Komentet e tij pasojnë paralajmërime të ngjashme nga drejtues të tjerë të korporatave, përfshirë Jamie Dimon nga JP Morgan, i cili tha se një pjesë e investimeve në IA mund të mos japin kthim.

Alphabet ka dyfishuar vlerën e aksioneve në shtatë muaj, duke arritur në 3.5 trilionë dollarë, pasi tregjet kanë rifituar besimin në aftësinë e saj për të konkurruar me OpenAI-n, pronarin e ChatGPT.

Një fushë kyçe për Alphabet është zhvillimi i çipave të personalizuar për IA, të cilët rivalizojnë me ato të kompanisë Nvidia. Megjithatë, disa analistë kanë shprehur dyshime për qëndrueshmërinë e marrëveshjeve që përfshijnë vlera deri në 1.4 trilionë dollarë rreth OpenAI-së, ndërkohë që të ardhurat e saj parashikohen shumë më të ulëta.

Në lidhje me ndikimin e intensitetit të IA-së në klimë, Pichai theksoi se konsumimi i energjisë nga kjo teknologji është rritur ndjeshëm, duke arritur 1.5% të konsumit botëror të energjisë elektrike. Ai apeloi për zhvillimin e burimeve të reja energjetike dhe zgjerimin e infrastrukturës për të përballuar kërkesat në rritje.

Pichai pranoi se Alphabet mund të mos arrijë objektivat klimatike me ritmin e parashikuar, por mbetet i përkushtuar për të arritur emetim neto zero deri në vitin 2030, përmes investimeve në teknologji të reja të energjisë.

Në aspektin global, kompania po zgjeron ndjeshëm praninë e saj në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të investojë 5 miliardë paund gjatë dy viteve të ardhshme për infrastrukturë dhe kërkime në IA. Pichai njoftoi gjithashtu se Google do të fillojë trajnimin e modeleve të saj të IA-së në këtë vend, duke forcuar më tej rolin e Mbretërisë së Bashkuar si një qendër teknologjike ndërkombëtare.

Lidhur me ndikimin e IA-së në tregun e punës, Pichai e përshkroi atë si “teknologjinë më të thellë mbi të cilën njerëzimi ka punuar”. Ai u shpreh se kjo teknologji do të sjellë përçarje, por gjithashtu edhe mundësi të reja në të gjitha profesionet. Sipas tij, ata që e përvetësojnë përdorimin e këtyre mjeteve do të kenë më shumë përfitime, pavarësisht se në cilin sektor punojnë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *