Superekspertiza për rastin Veaposka: Lëshime pas operacionit, përgjegjës kryesor gjinekologu Muhamed Asani

Rezultatet e superekspertizës të kryer nga Këshilli Mjekësor Gjyqësor në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup kanë evidentuar lëshime në kujdesin pas operacionit cezarian ndaj lehonës Jilldiz Veaposka nga Dibra. Gjatë trajtimit të saj pas lindjes, asaj i janë hequr tre organe: mitra, vezorja dhe një veshkë.

Sipas raportit të paraqitur në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Strugës, përgjegjësinë për rastin e mban gjinekologu Muhamed Asani, i konsideruar si i dyshuari kryesor, pasi ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale.

Mjekja në pension Verica Poposka, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës, sqaroi se i akuzuari i dytë, Dr. Blerton Asani, ka qenë specializant gjatë ndërhyrjes dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për komplikimet e ndodhura. Përgjegjësi nuk u theksua as për të akuzuarën e tretë, Dr. Liljana Jovanovska, e cila nuk ka qenë në detyrë pas operacionit.

Poposka bëri të ditur se pas lindjes, më 27 gusht 2020, gjendja e pacientes u përkeqësua dhe analizat treguan ulje të vlerave të gjakut. Ajo theksoi se pas operacionit nuk janë ndërmarrë masa diagnostikuese për të identifikuar shkakun e gjendjes së rënduar të pacientes. Sipas saj, nëse do të ishin ndërmarrë këto masa me kohë, do ishte shmangur përkeqësimi i mëtejshëm që çoi në shok hemorragjik në ditën e katërt pas operacionit.

Raporti thekson se në Spitalin e Strugës, në kushtet e shokut, pacientes fillimisht iu hoqën mitra dhe vezorja e majtë, më pas edhe veshka e majtë. Më pas, ajo u transferua në Qendrën Klinike në Shkup, ku u konstatua se ende po pësonte humbje gjaku. Gjatë ndërhyrjes së re kirurgjikale, u lidh arteria renale e majtë.

Poposka shtoi se nëse pacientja nuk do të ishte transportuar drejt Shkupit, rasti mund të kishte përfunduar me fatalitet. Tre mjekët që përgatitën superekspertizën theksuan se nuk janë përballur më parë me një rast të ngjashëm gjatë karrierës së tyre.

Në seancën gjyqësore, prokurorja publike Ermira Musa-Nura propozoi ndryshime në pjesën dispozitive të aktakuzës. Pas këtij propozimi, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi kohë për t’i shqyrtuar ndryshimet. Të pandehurit deklaruan se nuk e kishin kuptuar aktakuzën e ndryshuar dhe se nuk kishin qenë në punë gjatë periudhës pas operacionit.

Gjykimi pritet të vazhdojë të premten me marrjen në pyetje të të akuzuarve dhe me paraqitjen e fjalëve përfundimtare.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *