Superliga e Evropës ka nisur procedurat paraprake për një padi kundër UEFA-s, duke kërkuar dëmshpërblime që, sipas klubeve dhe kompanisë A22, kapin më shumë se 4.5 miliardë euro. Kërkesa më e madhe vjen nga Real Madridi, ndërsa Florentino Pérez e konfirmoi hapin gjatë Asamblesë së Përgjithshme të klubit. Një ditë më vonë A22 publikoi një deklaratë zyrtare për të shpjeguar arsyet e ndërmarrjes së veprimeve ligjore.
Sipas A22 Sports Management, më 21 nëntor 2025 u inicuan procedurat e detyrueshme MASC, sipas legjislacionit spanjoll, përpara fillimit të një procesi ligjor kundër UEFA-s. A22 kërkon kompensim për dëmet që, sipas saj, rrjedhin nga abuzimi i supozuar i UEFA-s me pozicionin e saj dominant si operator i garave ndërkufitare të futbollit të klubeve.
Florentino Pérez rikujtoi vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian më 21 dhjetor 2023, që konstatoi se UEFA kishte shfrytëzuar pozicionin e saj monopolist duke penguar hyrjen e organizatorëve të jashtëm si A22 në treg. Sipas deklaratës, UEFA vazhdon të mbajë rregullore dhe praktika që bien ndesh me vendimet e tre gjykatave evropiane, përfshirë rregulla të reja të vendosura në vitin 2024, çka ka çuar në pretendime të konsiderueshme për dëmshpërblim nga klubet dhe A22.
Deklarata përmend negociatat që u zhvilluan gjatë vitit 2025 mes A22 dhe UEFA-s, të cilat zgjatën shtatë muaj pa rezultuar në marrëveshje. Propozimet e A22 përfshinin një format të përmirësuar, qeverisje moderne dhe përdorimin e platformës së transmetimit Unify për tifozët, por nuk u arrit konsensus.
Hapi i ardhshëm, sipas Superligës dhe A22, është kërkimi i kompensimit për dëmet e supozuara, që vlerësohen në miliarda euro. /Telegrafi/