Të rinjtë humbin besimin se Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së për shkak të korrupsionit

Të rinjtë në Maqedoni po humbin besimin se vendi do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe kontesteve bilaterale, sipas ekspertëve dhe rezultateve të një hulumtimi.

Sipas komunikologut Bojan Kordallov, rikthimi i besimit në institucionet gjyqësore do të rrisë shpresën për anëtarësim në BE. Ai tha: “Në fakt të rinjtë janë për Bashkim Evropian mirëpo gjithnjë e më tepër e humbin shpresën se në një kohë të afërt Maqedonia do të bëhet anëtare e Unionit. Kjo është diçka për të cilën duhet të gjithë së bashku të punojmë dhe ta ndryshojmë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për statusin e anëtarit, por edhe për përfitimet që të rinjtë do t’i shfrytëzojnë përmes programeve të ndryshme Erasmus, shkëmbimeve, mundësive për punë, praktikë, studime e kështu me radhë. Fokusi kryesor është vendosur se ajo që e kërkojnë si të rinj është lufta kundër korrupsionit që po ndodh”, tha Bojan Kordallov.

Deputetja Dragana Bojkovska, nga klubi për çështje rinore në Kuvend, thotë se të rinjtë në Maqedoni duhet të ndjehen të barabartë me të rinjtë nga shtetet e BE-së. Ajo shtoi se janë në komunikim me Ministrinë e Arsimit për përdorimin e inteligjencës artificiale në korniza të arsimit.

Bojkovska vuri në dukje se si arsyet kryesore për vonesën e anëtarësimit shihen kontesti bilateral me Republikën e Bullgarisë dhe lufta kundër korrupsionit. “Si të rinj shpresojmë se do të kemi përparim të rëndësishëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për besim në sistemin gjyqësor. Në buxhetin për vitin 2026 kemi paraparë mbi 1 milion euro për fushatë për të nxitur të rinjtë të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë këtu, por edhe për ti mbajtur ata që janë këtu”, deklaroi Dragana Bojkovska, deputete e OBRM-PDUKM-së.

Sipas hulumtimit të Institutit për Menaxhim të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike, Fondacionit “Fridrih Nauman” dhe Qendrës Evropiane për Përsosmëri, 46,5% e të rinjve nuk besojnë se Maqedonia e Veriut ndonjëherë do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa 35,8% mendojnë se kjo do të ndodhë pas shumë vitesh. Nga 1.000 të anketuar, 84,6% kanë theksuar korrupsionin si pengesë kryesore për anëtarësim, si dhe kontestet bilaterale dhe besimin e ulët në institucione.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *