Të rinjtë në Toronto përballen me sigurime makine të larta

Të rinjtë në Toronto po përballen me tarifa të larta të sigurimit për makinat, aq sa për shumë prej tyre është më ekonomik të përdorin transportin publik ose shërbime si Uber sesa të mbajnë një automjet.

Një raport i publikuar nga Rates.ca tregon se kompanitë e sigurimit i konsiderojnë të rinjtë si grup me rrezik të lartë. Sipas raportit, meshkujt nën 25 vjeç kanë 73% më shumë gjasa të kryejnë shkelje serioze krahasuar me meshkujt mbi 25 vjeç, ndërsa femrat e reja janë 53% më të prirura për shkelje sesa femrat mbi 25 vjeç. Në përgjithësi, drejtuesit nën 25 vjeç kanë 66% më shumë gjasa të marrin gjoba për tejkalim shpejtësie.

Për pasojë, tarifat e sigurimit janë shumë të larta: një 20-vjeçar në Toronto me një Honda Civic mund të paguajë deri në 13,418 dollarë në vit, ndërsa një femër e së njëjtës moshë deri në 9,607 dollarë.

Si të ulen kostot? Përfundimi i një kursi të aprovuar nga MTO për drejtuesit fillestarë mund të ulë deri në 2,000 dollarë nga çmimi vjetor i sigurimit. Ulje mund të ketë edhe pas moshës 25 vjeç, por ajo nuk është e garantuar në çdo rast.

Modeli i veturës gjithashtu ndikon në çmim: Consumer Reports rekomandon Honda Civic, Hyundai Tucson dhe Toyota Corolla si opsione më të lira dhe më të sigurta për drejtuesit e rinj.

Keith Barry nga Consumer Reports i këshillon të rinjve të zgjedhin një makinë që nuk është shumë e madhe, as shumë e vogël dhe jo shumë e shpejtë, pasi kjo e bën sigurimin më të lirë dhe ndihmon shoferët e rinj të kontrollojnë më mirë shpejtësinë.

Burimi: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *