Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, gazetarët e Telegrafit analizojnë rezultatet e Kosovës dhe Shqipërisë në ciklin kualifikues të Botërorit 2026. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Telegrafi ndoqi nga afër ndeshjen historike Kosovë–Slloveni, ku dy gazetarë të redaksisë, Bardh Maxhuni dhe Romak Zeqiri, raportuan në kohë reale nga vendi i ngjarjes. Në studion e “Arena e Yjeve”, Maxhuni ndau disa prapaskena dhe vëzhgime nga udhëtimi dhe stadiumi.
Ai tha se ishte hera e tij e parë në Slloveni dhe u habit nga prania e madhe e shqiptarëve, nga stafi i hotelit e deri te taksistët që i çuan në stadium. Sipas tij, edhe tifozët në biseda thanë se kishte shumë shqiptarë, disa prej të cilëve kishin udhëtuar nga vende të tjera, si Kroacia dhe Austria.
Maxhuni përshkroi atmosferën në stadium si të ngjashme me atë të “Fadil Vokrri” dhe rrëfeu se një gazetar slloven u befasua kur pa se në katër anët e stadiumit kishte shqiptarë. Ai shtoi se ndjekja e një ndeshjeje kaq të rëndësishme nga stadiumi ishte një kënaqësi e papërshkruar dhe se në vend ngjarjeje vërehen detaje që shpesh nuk duken në transmetimin televiziv, si prapaskenat dhe lëvizjet e ndryshme.
Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.