Google zyrtarisht ka ndërprerë mbështetjen për kontrollin e largët dhe përditësimet softuerike të dy gjeneratave të para të termostatëve Nest Learning. Megjithatë, një hetim i ri tregon se pajisjet vazhdojnë t’i dërgojnë të dhëna kompanisë, edhe pse përdoruesit nuk kanë më akses nëpërmjet aplikacionit.
Sipas raportit të The Verge, studiuesi i sigurisë Cody Kociemba, pjesë e projektit No Longer Evil, zbuloi se termostatët raportojnë ende Google-it ndryshimet manuale të temperaturës, lëvizjen dhe praninë në dhomë, dritën ambientale dhe lagështinë e ajrit.
Kociemba thotë se lidhja tani është “njëkahëshe”: Google merr të dhënat, ndërsa përdoruesit nuk mund më të qasen në to apo të kontrollojnë termostatin përmes aplikacionit. Kjo ndodh pavarësisht se Google ka hequr funksione kyçe duke argumentuar se pajisjet janë të vjetruara.
Google ka deklaruar se të dhënat përdoren për diagnostikim dhe zgjidhje problemi. Megjithatë, hetimi ngre pyetje pse po vazhdohet mbledhja e informacionit, kur mbështetja zyrtare nuk ekziston më.
Për zbulimin, Kociemba dhe ekipi i tij “Team Dinosaur” u shpërblyen me 14.772 dollarë si pjesë e një programi që mbështet kërkimin mbi mospërputhjet e privatësisë në pajisjet digjitale.
Derisa artikulli të publikohet, Google nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve. /Telegrafi/