Një test i fundit i Tesla Model X, versioni i përditësuar për vitin 2026, ka zbuluar se automjeti është më i lehtë me mbi 180 kilogramë krahasuar me versionin origjinal të vitit 2016. Modeli X i ri peshon 2367 kilogramë, krahasuar me më shumë se 2540 kilogramë që kishte fillimisht.
Pavarësisht se dizajni i jashtëm nuk ka ndryshuar ndjeshëm, ndryshimet e brendshme janë të shumta. Nënkryetari i inxhinierisë së automjeteve të Teslës, Lars Moravy, tregoi se modeli i parë ishte realizuar nxitimthi, duke përdorur pjesë dhe zgjidhje të trashëguara nga Model S, çka ndikoi në peshë dhe efikasitet.
Për modelin e ri, Moravy tha se inxhinierët janë shpërblyer simbolikisht për çdo kilogram të kursyer, gjë që nënkupton një angazhim të madh për uljen e peshës.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
– Zëvendësimin e motorit të pasmë me një dizajn me magnet të përhershëm dhe optimizimin e boshtit gjysmak, duke kursyer rreth 45 kg;
– Rishikimin e paketës së baterisë—përfshirë qeliza më të dendura dhe orientim të ri të moduleve nga horizontal në vertikal—duke eliminuar 300 qeliza dhe kursyer afro 40 kg;
– Reduktim të peshës në brendësi me 36 kg, falë materialeve më të lehta dhe ndryshimeve në prodhim;
– Për variantin me pesë ulëse, heqja e piedestalit kurseu 25 kg, ndërsa ndryshimet në pjesët e montimit qendror dhe rripat e sigurimit sollën një tjetër ulje prej 17 kg;
– Kursimi i 14 kg në sistemin elektrik përmes kalimit nga tela bakri në alumin dhe optimizimit të lidhjeve të tensionit të lartë;
– Përmirësime në sistemin e ftohjes, duke përfshirë radiatorë më të thjeshtë dhe zgjidhje të reja për variantin Plaid, sollën një zbritje prej 30 kg.
Moravy theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe përmendi Ligjin e Conway, sipas të cilit produktet imitojnë strukturën e komunikimit të organizatës që i prodhon. Ai tha se ndarja tradicionale e funksioneve në kompanitë e mëdha shpesh përbën pengesë për ndërtimin e automjeteve më efikase.