Seriali i ri i Netflix, “The Beast In Me”, po fiton popullaritet të madh dhe është cilësuar nga shikuesit si një nga më të mirët e kohëve të fundit.
Thrilleri me atmosferë të errët dhe ritëm të shpejtë ka tërhequr vëmendjen globale, falë një historie intensive që fokusohet te një marrëdhënie toksike. Në qendër të ngjarjes është Aggie Wiggs, e interpretuar nga Claire Danes, e cila lidhet me Nile Jarvis (Matthew Rhys), një burrë dikur i akuzuar për vrasje. Ky obsesion kthehet në një rrezik të vërtetë, ndërsa seriali shtjellon pyetjen: “Kur ndjek përbindëshin, çfarë bëhesh vetë?”
Pavarësisht se është publikuar para më pak se një jave, seriali ka marrë vlerësime të larta: 7.5 nga 10 në IMDb dhe 83% në Rotten Tomatoes. Brittany Snow dhe Natalie Morales janë po ashtu pjesë e kastit të këtij seriali amerikan të zhanrit psikologjik, shkruan Daily Mail.
Kritikët e kanë vlerësuar “The Beast In Me” si një thriller të menduar mirë, me aktrim të shkëlqyer dhe një kimi të fortë mes aktorëve kryesorë. Shikuesit e kanë përshkruar si një produksion që shikohet pa ndërprerje.
“The Guardian” e ka cilësuar si një “thriller të tensionuar të nivelit të lartë”, ndërsa “Vanity Fair” e ka përshkruar si “një lojë elegante maceje me miun”.
Në një intervistë për Netflix, Claire Danes tha se sfida më e madhe në rolin e Aggie ishte portretizimi i një gruaje të mbyllur në vetvete dhe të paralizuar nga dhimbja. Sipas saj, regjisori Antonio Campos luajti një rol kyç në shfaqjen e këtij tensioni në ekran.
Megjithëse seriali është konceptuar si një projekt i limituar, shumë fansa tashmë po kërkojnë një sezon të dytë.