Pas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se nga nesër nuk do të ketë transport publik në kryeqytet, Trafiku Urban ka publikuar një njoftim zyrtar.
Trafiku Urban njofton se ndërprerja e qarkullimit të të gjitha linjave bëhet për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve. “Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja shpreh keqardhje për pasojat ndaj qytetarëve dhe bën të ditur se shërbimi do të rifillojë pasi Ministria e Financave lëshojë mjetet që mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë detyrimet financiare ndaj ndërmarrjes. “Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes”, thuhet më tej.
Trafiku Urban sqaron se, edhe pse ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e detyrimeve kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme për ofrimin e shërbimit publik. Ndërmarrja kërkon ndjesë për shqetësimin e qytetarëve dhe njofton se ndërprerja do të zgjasë deri në përmirësimin e situatës financiare.
/Telegrafi/