Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndaj Polonisë në gjysmëfinale të play-off-it për Botërorin 2026.
Pas shortit të hedhur në Cyrih të Zvicrës, përzgjedhësi i Polonisë, Jan Urban, e konsideroi të mirë përzgjedhjen dhe vlerësoi Poloninë si favorit për ndeshjen e parë.
“Nuk mendoj se duhet të ankohemi. Kemi short të mirë, jemi favorit në ndeshjen e parë. Nuk mund ta fshehim këtë. Ne duhet ta shfrytëzojmë avantazhin e stadiumit si vendas,” u shpreh Urban.
Ai shtoi se, megjithë favorizimin, duhet treguar respekt për çdo kundërshtar. “Është e qartë se ne jemi favorit, por duhet ta respektojmë çdo ekip. Kemi përjetuar disa befasi, jo vetëm unë personalisht por edhe duke parë përfaqësueset e tjera. Respekti është gjithmonë i rëndësishëm, por duhet të kemi vetëbesim sepse kjo na ndihmon. Shorti është i mirë. Do të kthehemi me besim të plotë në rrugëtimin e play-off-it.”
Urban tha se skuadra është e kënaqur me shortin dhe shpreson për një avantazh shtëpie. “Jemi të lumtur me shortin. Dy ndeshje në shtëpi do të ishte fat i madh. Nëse luajmë në finale, duhet të luftojmë për vendin në Kupën e Botës. Duhet ta bëjmë këtë sepse kështu e kërkon situata. Jemi të fokusuar vetëm në ndeshjen e parë, pa e harruar analizën ndaj Ukrainës dhe Suedisë,” përfundoi ai.