Tri avari në rrjetin e ujësjellësit në Pejë shkaktojnë ndërprerje të furnizimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë njofton për paraqitjen e tre avarive të mëdha në pjesë të ndryshme të rrjetit të furnizimit, si pasojë e prurjeve të rritura të ujit dhe vjetërsisë së infrastrukturës. Defektet kanë detyruar ndërprerje të përkohshme të ujit në disa zona të Pejës dhe fshatrave përreth.

Avaria e parë është regjistruar në rrugën ‘Azem Lukaj’, në gypin kryesor DN 500 AC, ku u identifikua një rrjedhje e madhe. Për shkak të kësaj, është ndërprerë furnizimi në fshatrat e Lugut të Trestenikut, Lugut të Leshanit, zonën industriale dhe në fshatin Gorazhdevc.

Avaria e dytë është evidentuar në rrugën ‘Agim Qela’, në gypin DN 315, ku një rrjedhje e konsiderueshme ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit në rrugët ‘Agim Qela’, ‘Myrvete Maksutaj’, ‘Adem Jashari’ dhe në të gjithë bllokun teknik ‘Fidanishe’.

Avaria e tretë është regjistruar në rrugën ‘Faruk Zeka’, ku rrjedhja e madhe ka detyruar ndërprerjen e furnizimit deri në krijimin e kushteve të sigurta për realizimin e punimeve.

KRU ‘Hidrodrini’ njofton se ekipet teknike ndodhen në terren dhe kanë nisur punën për sanimin e të gjitha defekteve. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të ndërhyrjeve. Kompania kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe siguron se po ndërmerr të gjitha masat për rikthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të ujit të pijshëm.

(Burimi: Telegrafi)

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *