Trump aprovon plan me 28 pika për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një plan me 28 pika për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, i hartuar në heshtje gjatë javëve të fundit nga zyrtarë të lartë të administratës së tij në konsultim me të dërguarin rus Kirill Dmitriev dhe zyrtarë ukrainas, raportoi NBC News, duke cituar një zyrtar të administratës.

Në formulimin e planit kanë qenë të përfshirë i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

Zyrtari deklaroi se plani përqendrohet në dhënien e garancive të sigurisë për të dyja palët dhe përmban elemente që Ukraina kërkon për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje specifike mbi përmbajtjen e planit, i cili mbetet ende subjekt negociatash.

Sipas trei zyrtarëve amerikanë, korniza e marrëveshjes nuk u është paraqitur ende në mënyrë zyrtare autoriteteve ukrainase. Hartimi i draftit përkoi me vizitën e një delegacioni të ushtrisë amerikane në Kiev, i udhëhequr nga sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, dhe shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Randy George.

Delegacioni amerikan në Ukrainë kishte dy qëllime kryesore: diskutimin e çështjeve ushtarake dhe teknologjisë, dhe ndihmën për ringjalljen e procesit të paqes. Vizita ndodhi pak orë pas një serie sulmesh të rënda ruse me raketa dhe dronë që lanë të paktën 25 të vrarë, përfshirë tre fëmijë, dhe dhjetëra të plagosur.

Senatori Marco Rubio deklaroi në rrjetin X se përfundimi i një lufte komplekse si ajo në Ukrainë kërkon diskutime serioze dhe që të dyja palët të bëjnë lëshime të vështira por të domosdoshme. Ai shtoi se puna për një listë idesh për t’i dhënë fund konfliktit do të vazhdojë.

Sipas një burimi pranë qeverisë ukrainase dhe një zyrtari evropian, Ukraina nuk ka marrë pjesë në hartimin e këtij plani dhe është informuar vetëm për përmbajtjen e përgjithshme, pa qenë e përfshirë në diskutimet specifike. Zyrtarët ukrainas shqetësohen se propozimi është bërë në kohë kur qeveria e Zelensky përballet me një skandal korrupsioni, duke e parë si përpjekje të mundshme të Kremlinit për të përfituar nga dobësitë e brendshme.

Kremlini ka minimizuar raportimet për planin e paqes, duke thënë se “nuk ka plane të tilla” për një takim ndërmjet zyrtarëve rusë dhe Driscoll. Rusia ka kërkuar kufizime të rrepta mbi forcat e armatosura të Ukrainës, ndalimin e anëtarësimit të saj në NATO dhe tërheqjen e trupave perëndimore, si kushte për ndonjë marrëveshje paqeje.

Një zyrtar amerikan tha se qëllimi i vizitës së delegacionit ishte “rinisja e negociatave të paqes”. Por aleatit i Trump, senatori Lindsey Graham, u shpreh se nuk ishte në dijeni për planin dhe theksoi se çdo propozim do të dështojë nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk beson se SHBA-ja është serioze në mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës.

Sipas burimeve, delegacioni amerikan në Kiev diskutoi gjithashtu përpjekjet për mbrojtje ajrore dhe hartëzimin e vijës së frontit në funksion të një procesi të mundshëm paqeje. Përpjekjet diplomatike të mëparshme, të udhëhequra nga Witkoff, kishin përjashtuar Ukrainën dhe ishin kundërshtuar nga Kievi dhe aleatët e NATO-s për shkak të perceptimit se ishin në favor të Moskës.

Zyrtarë të administratës Trump besojnë se ka një mundësi për t’i dhënë fund luftës nëse palët tregojnë fleksibilitet. Ndërkohë, pas sulmeve të fundit ruse, Ukraina përjetoi ndërprerje emergjente të energjisë në disa rajone, pasi mbi 470 dronë dhe 48 raketa goditën objektiva energjetike dhe transporti.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *