Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, njoftoi në TV24 se norma preferenciale e TVSH-së prej 5% për banesat e sapondërtuara do të vazhdojë të vlejë edhe pas 1 janarit.
Sipas saj, vendimi u mor pas analizave dhe hulumtimeve të tregut, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në krahasim me vendet e tjera. “Bazuar në ato rezultate, propozuam që norma prej 5 për qind të vazhdojë edhe më tej. Gjithashtu jemi në proces të ndryshimit dhe plotësimit të të gjithë Ligjit për TVSH-në, ku do të propozojmë modalitete të caktuara që do të zbatohen në të ardhmen”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se për momentin nuk ka kushte për zbatimin e një norme më të lartë, veçanërisht duke pasur parasysh se disa qytetarë kanë paguar fonde avancë ndërsa objektet janë në ndërtim. “Që të mos dëmtohet asnjë qytetar, nevojitet një procedurë e plotë dhe e përcaktuar qartë. Për momentin nuk ka mundësi për një gjë të tillë dhe për këtë arsye propozuam të vazhdojë të vlejë ai nen që thotë se norma preferenciale prej 5 për qind do të mbetet edhe më tej”, deklaroi ajo.
Ministrja përmendi se edhe në vende me norma më të larta të përgjithshme të TVSH-së, trajtimi tatimor i banesave është më i ulët; si shembull përmendi Slloveninë, ku norma e TVSH-së për banesat është 9,5%.
Dimitrieska-Koçoska paralajmëroi gjithashtu se në Ministrinë e Financave po punojnë për ndryshime gjithëpërfshirëse ligjore në rregulloren tatimore, por nuk parashikohet ndryshim i normave të taksave. “Po i hapim ligjet një nga një. Së pari, tatimi mbi fitimin dhe tatimi personal, dhe më pas do të përfshihen edhe segmentet e tjera. Direktivat do të jenë përparësia jonë mbi bazën e të cilave do të harmonizojmë ndryshimet ligjore. Në këtë moment nuk do të ketë ndryshim në normat e taksave”, tha ajo.