Një raport i UNICEF, i publikuar sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës, njofton se 412 milionë fëmijë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë të privuar nga nevojat themelore si arsimi, shëndetësia dhe ushqyerja.
Fëmijët në Afrikën Subsahariane rezultojnë më të prekur, ndërsa situata vlerësohet serioze edhe në Azinë Jugore, Juglindore dhe në rajonin e Paqësorit.
UNICEF paralajmëron se progresi i konsiderueshëm në luftën kundër varfërisë së fëmijëve është në rrezik, pasi shumë shtete kanë ulur ndihmën për zhvillim dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Ndryshimi i klimës dhe konflikti kërcënojnë të zhytin edhe më shumë familje në varfëri,” thuhet në raport.
Agjencia vlerëson se rreth 412 milionë fëmijë jetojnë me më pak se tre dollarë në ditë, por thekson se kjo shifër pasqyron vetëm një pjesë të problemit.
Privimi më i përhapur lidhet me kanalizimet: 65% e fëmijëve në vendet me të ardhura të ulëta nuk kanë qasje në tualet.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Catherine Russell, theksoi se varfëria e fëmijëve u ul ndjeshëm midis 2014 dhe 2024 falë përpjekjeve politike, dhe bëri thirrje që qeveritë dhe bizneset të rrisin shpenzimet për shërbimet kryesore për fëmijët.
Burimi: Telegrafi