Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup ka reaguar lidhur me njoftimet që qarkullojnë në disa media për kampusin e tij.
Sipas universitetit, lajmet për ‘zhdukjen’ e projektit të Kampusit Universitar janë të pavërteta. Projekti nuk është anuluar dhe nuk është ndërprerë. Institucioni thotë se ka marrë konfirmim zyrtar se fondet do të alokohen në disa faza, në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore.
Kampusi përshkruhet si një projekt madhor dhe shumëvjeçar për Universitetin ‘Nënë Tereza’. Si çdo investim kapital i rëndësishëm, ai do të realizohet me faza të mirëstrukturuara. Buxheti vjetor mbulon vetëm punimet që zhvillohen gjatë asaj periudhe dhe jo shumën totale të parashikuar deri në përfundim të projektit.
Universiteti kërkon nga opinion publik dhe nga të gjithë arsimdashësit që të mos bien pre e keqinformimeve dhe të mos dëmtojnë reputacionin e institucionit, por ta mbështesin dhe ta mbrojnë sipas mundësive të tyre.