Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, specialistja e Biokimisë Klinike Nerxhivane Gërguri-Retkoceri foli për rëndësinë e ushqimit në funksionimin e organizmit dhe ndikimin e zakoneve ushqimore moderne në shëndet.
Sipas saj, ushqimi është faktor kyç për metabolizmin e proteinave, karbohidrateve dhe lipideve — procese pa të cilat organizmi nuk mund të funksionojë si duhet.
Me rritjen e konsumit të ushqimeve të shpejta dhe prirjen e të rinjve për të ngrënë jashtë, po vërehen gjithnjë e më shumë çrregullime metabolike. Gërguri-Retkoceri theksoi se modernizimi i mënyrës së të ushqyerit po ndikon veçanërisht në metabolizmin e lipideve dhe në shtimin e rasteve me çrregullime të metabolizmit të glukozës.
Një prej faktorëve shqetësues, sipas saj, është konsumi i tepërt i pijeve energjike. “Pijet energjike të cilat preferohen prej të rinjve përmbajnë një sasi shumë të lartë të glukozës. Dhe në këtë mënyrë, kur kemi një nivel të lartë të glukozës në gjak, kjo menjëherë e rrit stimulimin e insulinës prej pankreasit, që çon deri në një insuficiencë pankreatike nëse merren për një kohë të gjatë. Pas një kohe edhe prodhimi i insulinës vjen e pakësohet ose shfaqet rezistenca ndaj insulinës”, u shpreh ajo.
Specialistja paralajmëroi se përdorimi i vazhdueshëm i ushqimeve të përpunuara, pijeve të ëmbla dhe energjikeve mund të rrisë rrezikun për diabet, çrregullime hormonale dhe probleme kardiovaskulare.
Për më shumë, shikoni pjesën e plotë të podcastit: https://www.youtube.com/watch?v=OXYVLMZc3h8&t=1048s