Në Komisionin e Kuvendit për Financim dhe Buxhet ka vijuar sot debati për amendamentet lidhur me Propozim-buxhetin për vitin 2026. Janë dorëzuar gjithsej 203 amendamente, ndërsa disa prej tyre janë tërhequr nga deputetët e BDI-së.
Gjatë ditës së djeshme, disa amendamente janë refuzuar, ndërsa një amendament është aprovuar, i cili parashikon shtesë prej pesë milionë denarësh për Agjencinë Operative Teknike (AOT), për blerje pajisjesh të reja.
Sipas Propozim-buxhetit për vitin 2026, parashikohet një rritje ekonomike prej 3,8 për qind, inflacion prej 2,5 për qind dhe deficit buxhetor prej 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Të ardhurat e përgjithshme janë parashikuar në 374.7 miliardë denarë, shpenzimet në 413.9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale arrijnë në 40.5 miliardë denarë, që përkthehen në rreth 650 milionë euro.