Vazhdon paraburgimi për Veselin, Selimin dhe Krasniqin

Më 18 nëntor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vendosën të vazhdojnë masën e paraburgimit për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Prokuroria kishte argumentuar se ekziston rreziku që të akuzuarit të pengojnë drejtësinë, të kryejnë krime të tjera ose të arratisen. Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka konfirmuar vetëm dy nga këto pretendime: rrezikun për pengim të procesit gjyqësor dhe mundësinë e kryerjes së krimeve të tjera.

Procesi gjyqësor ka hyrë në fazën kur mbrojtja po paraqet provat e saj. Ky proces nisi më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, që dëshmoi për tri ditë. Pas tij dëshmuan:

– Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje,
– John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, më 22-23 shtator,
– James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, nga 30 shtator deri më 2 tetor,
– Christopher Hill, ish-diplomat amerikan, më 10, 11 dhe 12 nëntor,
– Michael Durkee, ish-këshilltar politik i Wesley Clark, më 12 dhe 13 nëntor,
– Wesley Clark, që dëshmoi më 17 dhe 18 nëntor.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

DhSK ka bërë të ditur se më 14 nëntor 2025 përfundon faza e mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat për ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave do të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *