Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe: Sajmir Beca, 30 vjeç, humbi jetën pasi u shtyp nga një kamion mbeturinash në Northampton, ndërsa flinte brenda një kontejneri.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në rrugën Wellington. I riu u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar të Coventry, ku qëndroi 20 ditë në gjendje kritike dhe ndërroi jetë më 6 nëntor, njoftojnë mediat britanike.
Sipas mjekes Anne Pember, shkaku i vdekjes ishte dështimi i shumë organeve pas dëmtimeve të rënda në legen dhe gjymtyrët e poshtme. Autoritetet po zhvillojnë hetim për rrethanat e ngjarjes.
Trupi i të ndjerit u kthye pranë familjes dhe ceremonia mortore u zhvillua. 30-vjeçari la prindërit dhe një vëlla.
Një mike e afërt tha se Beca ishte kthyer atë natë në Northampton dhe nuk kishte patur ku të qëndronte. Ajo e përshkroi atë si njeri të punës dhe i kërkoi që të mbahet mend për atë që ishte, jo për mënyrën e vdekjes.
“Menduam t’i thoshim të vinte të flinte tek ne, por ndoshta ndjente turp,” tha mikesha, duke shtuar se ngjarje të tilla ngrenë nevojën për të informuar punonjësit e mbeturinave që të kontrollojnë kontejnerët para se të bëjnë punën e tyre.
Kompania Veolia, që menaxhon kontejnerët në qytet, deklaroi se është thellësisht e tronditur dhe do të bashkëpunojë me autoritetet gjatë hetimit.