Veldin Hoxha optimist për kualifikimin në Kupën e Botës 2026

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Veldin Hoxha, ka folur për dy ndeshjet e fundit kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, duke shprehur besimin e tij se Kosova do të kualifikohet në Kupën e Botës 2026.

Hoxha ishte zëvendësues në fitoren 2-0 kundër Sllovenisë, ndërsa luajti titullar në barazimin 1-1 ndaj Zvicrës, të zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në një intervistë për Telegrafin, 23-vjeçari shprehu kënaqësinë për paraqitjet e fundit. “Do të thosha se ishte një fitore e madhe ndaj Sllovenisë dhe një lojë e mirë kundër Zvicrës,” u shpreh ai.

Hoxha vlerësoi atmosferën pozitive brenda skuadrës, duke theksuar ndihmën që po merr nga shokët e tij për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe. “Kemi një atmosferë të mirë në skuadër, të gjithë janë shumë të sjellshëm. Nuk e flas ende shqipen, por jam duke u ndihmuar me përkthim dhe trajnerët flasin anglisht, gjë që e lehtëson shumë ambientimin tim,” tha ai.

Ai shtoi se përshtatja në skuadër po ndodh shpejt për shkak të komunikimit të mirë dhe mbështetjes që po merr. Hoxha ishte pranë shënimit të golit të tij të parë me Kosovën në ndeshjen ndaj Sllovenisë, por goditjen e tij e ndali portieri Jan Oblak.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe do të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën. Kisha një mundësi të mirë për të shënuar, por nuk arrita ta realizoj. Shpresoj që ta gjej golin së shpejti,” tha Hoxha.

Sa i përket shortit të playoff-it që hidhet nesër, Hoxha tha se nuk ka rëndësi kundërshtari, pasi qëllimi është i qartë: “Nuk ka rëndësi me kë luajmë, duhet të japim gjithçka dhe të tregojmë kualitetin tonë. E dimë sa të rëndësishme janë këto ndeshje.”

Në përmbyllje, mesfushori i ri u shpreh i bindur në objektivin e madh. “Besoj se mund të shkojmë në Kupën e Botës,” përfundoi ai.

Me paraqitjet e tij të mira, Hoxha ka fituar simpatinë e tifozëve “Dardanë” dhe shihet si një zëvendësim i mundshëm për Leon Avdullahun dhe Elvis Rexhbecajn, nëse këta mungojnë në formacion.

Kosova do të mësojë të enjten emrin e kundërshtarit në gjysmëfinalen e play-offit për Kupën e Botës 2026, ndërsa ndeshjet pritet të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *