Reshje të shumta shiu janë regjistruar sot në vend, dhe mot i ngjashëm pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se, sipas të dhënave nga Qendrat Operative Emergjente Regjionale 112, në disa rajone janë raportuar vërshime me intensitet të ulët.
Në Prishtinë janë prekur lagjet Kodra e Trimave, Arbëria dhe zona pranë Stacionit të Autobusëve. Në Fushë Kosovë është raportuar vërshim në lagjen Kolonia, ndërsa në Gjilan janë përmendur fshatrat Velikincë, Cërnicë, Livoq dhe Zheger.
Në Ferizaj, vërshime ka pasur në fshatrat Gaçkë dhe Rakaj, ndërsa në Kamenicë në fshatin Koretinë, lagjen Qameria dhe fshatin Roganë. Në Novobërdë janë përmendur fshatrat Pasjak dhe Llabjan, ndërsa në Junik lagjja Miroci.
AME thekson se gjendja është nën kontroll dhe e menaxhueshme. Agjencia, përmes qendrave operative rajonale 112, Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, është në bashkërendim të vazhdueshëm me autoritetet lokale për t’iu përgjigjur situatës.
Po ashtu, është ngritur niveli i gatishmërisë për ekipet e kërkim-shpëtimit në ujërat sipërfaqësore, ekipet e vendosjes së barrierave dhe ato të pompimit me kapacitet të lartë.
Komunat kanë kërkuar nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të mundësisë së vërshimeve.