Banorët e fshatit Sojevë në Ferizaj janë të izoluar në shtëpitë e tyre për shkak të vërshimeve që kanë nisur që nga dita e djeshme. Përveç pamundësisë për të lëvizur, tetë biznese kanë pësuar dëme materiale, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit nga ekipet emergjente.
Sipas tyre, kjo situatë është përsëritur për vite me radhë pa ndonjë zgjidhje konkrete, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve lokale dhe qendrore.
“Sa herë që ka reshje shiu, kemi të njëjtën gjendje. Kjo po ndodh tash e 15 vjet. Kemi bërë kërkesa në komunë me nënshkrime të të gjithë qytetarëve nga Dardania deri në Sojevë, por asnjëherë nuk kanë ndërhyrë. Vetëm vlerësojnë dëmet, por ndihma nuk jepet”, tha Sylejman Shala për KosovaPress.
Ndërkohë, banori Misret Shala tregoi se rruga është e pakalueshme tashmë për më shumë se 24 orë. Sipas tij, disa automjete kanë mbetur në rrugë dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për t’i nxjerrë.
Kemajl Shala e përshkroi ndërhyrjen e institucioneve si të pjesshme dhe jo efektive.
“Gjendja është e njëjtë çdo herë që ka vërshime. Institucionet vijnë, por vetëm sa për sy e faqe. As komuna, as ministria nuk marrin masa për të zgjidhur problemin”, deklaroi ai.
Edhe Xhevat Sallahu tha se problemi është ngritur më herët në kuvendin komunal dhe pranë inspektoratit, por pa ndonjë rezultat konkret.
“Problemi buron si nga faktori njerëzor, ashtu edhe nga mungesa e reagimit të institucioneve në nivel lokal dhe qendror. Kjo është hera e dytë që gjendja keqësohet këtë vit”, theksoi Sallahu.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përkeqësimin e situatës, ndërsa paralajmërojnë se reshjet e mëtejshme mund të rrisin rrezikun. /kp/