Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik të Bosnjë-Hercegovinës. Në pamje shfaqet Vlado Gjajiq, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Republikës Serbe, deputet i Asamblesë Kombëtare dhe kryetar i degës së SNSD në Banja Llukë, duke biseduar me një person të panjohur që mban në dorë një qese me një substancë të bardhë, të ngjashme me drogën.
Në video dëgjohen referenca për shuma nga 30 deri në 40 mijë euro, si edhe për lidhje me policinë dhe persona të tjerë. Publikimi i këtij materiali ka nxitur reagime të menjëhershme politike.
Gjajiq ka mohuar çdo lidhje me narkotikët, duke e cilësuar videon si “montazh” dhe një përpjekje për shantazh. Ai deklaroi se personi në video është “një kriminel i dënuar më parë që e ka provokuar me qëllim”, dhe theksoi se është i gatshëm të nënshtrohet edhe testit të poligrafit.
Kryetari i Banja Llukës, Drashko Stanivukoviq, identifikoi personin që mban qesen me substancën e dyshuar si Nenad Radinkoviq, të cilin e përshkroi si “kriminel të rrezikshëm dhe recidivist”. Stanivukoviq kërkoi hetim të plotë dhe transparencë nga institucionet.
Në reagim të shpejtë, kreu i SNSD-së, Milorad Dodik, njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të Gjajiqit nga të gjitha funksionet brenda partisë. Dodik tha se sjellja e tij në video është “e papranueshme dhe e dëmshme për imazhin e partisë”, duke theksuar se SNSD nuk do të tolerojë lidhje me krimin dhe drogën.
Organet kompetente pritet të hetojnë rrethanat e incidentit për të përcaktuar nëse materialet filmike përbëjnë provë për veprimtari të jashtëligjshme apo tentativë shantazhi.