Vitia pezullon mësimin pas reshjeve, formohet Qendra Operative Emergjente

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thirrur sot një takim me Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) për të koordinuar veprimet pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vështirësi në disa pjesë të komunës.

Gjatë takimit, Komiteti mori dy vendime kryesore: pezullimin e mësimit për ditën e mërkurë në të gjitha shkollat e komunës dhe krijimin e Qendrës Operative Emergjente për menaxhimin e situatës.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë, në bashkëpunim me Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ka ndërhyrë në disa lokalitete të prekura, përfshirë Vitinë, Ramnishtën, Pozheranin, Sllatinën, Radivojcën dhe Remnikun, si dhe në territorin e komunës së Kllokotit.

Ekipet komunale kanë punuar për largimin e ujit nga disa shtëpi, pastrimin e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe drunjve, si dhe kanë udhëzuar banorët të shmangin zonat më të rrezikuara.

KKMSH u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve emergjente. Po ashtu, në raste nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë shërbimet përkatëse në numrat emergjentë: 112, 193, 192 dhe 194. Vëmendje e veçantë kërkohet për sigurinë e fëmijëve dhe personave të moshuar.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *