VLEN: Shpërbërja e koalicionit AKI tregon mungesën e vizionit dhe orientimit politik

Koalicioni AKI, sipas deklaratës së përfaqësuesve të VLEN, po përjeton një shpërbërje të pashmangshme për shkak të mungesës së kauzës, vizionit dhe orientimit të qartë politik.

”Largimi i Aleancës për Shqiptarët (ASH) të udhëhequr nga Ziadin Sela dhe ikja e Krenar Llogës janë dëshmi të qarta të krizës së thellë të brendshme dhe mungesës së kohezionit brenda këtij koalicioni”, thuhet në deklaratën e VLEN.

Sipas tyre, moskoordinimi i vazhdueshëm mes subjekteve të përfshira në AKI është kthyer në një shembull të dështimit politik. Ata theksojnë se ky koalicion ka funksionuar më shumë si strehë interesash personale sesa si projekt politik për komunitetin shqiptar.

VLEN deklaron se mbetet një forcë e konsoliduar me program, vizion dhe strukturë të qartë shtetndërtuese. ”Ndërsa AKI po shpërbëhet, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë”, thuhet më tej në njoftim.

VLEN thekson se do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi e transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *