Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, është shprehur se ekipi kishte dëshirë të tregonte se është në nivelin e Zvicrës, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e fundit të kualifikueseve.
Pas golit të Ruben Vargas për Zvicrën, Kosova reagoi me një gol të bukur nga distanca të shënuar nga Florent Muslija.
“Besoj se kishim shumë dëshirë të tregojmë që jemi në të njëjtin nivel me Zvicrën, ndonëse është një Kombëtare shumë e fortë”, tha Vojvoda pas ndeshjes.
Ai shtoi se trajneri ka ndërtuar një formacion që i përshtatet të gjithë lojtarëve: “E meritojmë pozitën ku jemi. Trajneri ka gjetur një formacion të mirë që po i përshtatet të gjithëve dhe kemi dëshmuar se mund të japim kontribut.”
Mbrojtësi vlerësoi se paraqitjet e lojtarëve kosovarë në ligat e mëdha ndihmojnë Kombëtaren: “Po mundohemi të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën. Sa më shumë që luajmë në liga të mëdha, aq më e rëndësishme është për Kombëtaren. Ka ende hapësirë për përparim.”
Gjatë kampanjës kualifikuese, Kosova ka qenë pjesë e Grupit B, së bashku me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.
Në fazën ‘play-off’, kundërshtarët e mundshëm të Kosovës janë: Polonia, Republika Çeke, Uellsi dhe Sllovakia.