Volkswagen përballet me krizë financiare, vonohen investimet për zhvillimin e modeleve të reja

Volkswagen po përballet me një krizë të thelluar financiare që rrezikon të pezullojë zhvillimin e modeleve të reja në mbarë botën. Rënia e shitjeve, rritja e kostove dhe ndikimi i tarifave nga Shtetet e Bashkuara kanë çuar në mungesë të ndjeshme të likuiditetit.

Për pasojë, bordi mbikëqyrës i kompanisë ka shtyrë miratimin e një pakete investimesh me vlerë miliarda euro, e cila konsiderohet vendimtare për modernizimin e fabrikave dhe nisjen e projekteve të reja.

Sipas mediave të huaja, kjo vonesë mund të zgjasë me muaj, duke krijuar pasiguri për dhjetëra uzina dhe furnitorë në të gjithë grupin Volkswagen. Kompanisë i mungojnë rreth 11 miliardë euro për realizimin e planeve të vitit 2026, ndërkohë që programi pesëvjeçar prej 160 miliardë eurosh rezulton i pamjaftueshëm.

Ka mundësi që bordi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme gjatë dhjetorit, por burime të brendshme nuk përjashtojnë mundësinë që vendimmarrja të shtyhet për vitin e ardhshëm.

Deri në atë kohë, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në botë mbetet në pritje të miratimit për të vazhduar me projektet e planifikuara.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *