Von der Leyen: Kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, BE duhet të ketë rol qendror në paqe

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, ushtria e saj nuk duhet të reduktohet duke e lënë vendin të cenueshëm ndaj një sulmi, dhe Bashkimi Evropian duhet të ketë një rol qendror në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.

Deklarata e von der Leyen u bë të dielën, ndërsa zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Franca, Britania dhe Gjermania zhvillonin bisedime në Gjenevë për të diskutuar draftin e planit të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Çdo plan paqeje i besueshëm dhe i qëndrueshëm duhet, para së gjithash, të ndalojë vrasjet dhe t’i japë fund luftës, ndërkohë që nuk duhet të mbjellë farën për një konflikt të ardhshëm,” tha von der Leyen.

Ajo theksoi se janë rënë dakord mbi elementët kryesorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe për sovranitetin e Ukrainës. “Më lejoni të theksoj tre prej tyre. Së pari, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë,” tha ajo.

“Së dyti, si një komb sovran nuk mund të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës që do ta linin vendin të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme dhe në këtë mënyrë do të minonin edhe sigurinë evropiane,” vijoi deklarata.

“Së treti, roli qendror i Bashkimit Evropian në sigurimin e paqes për Ukrainën duhet të reflektohet plotësisht. Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e vet. Ata kanë zgjedhur një fat evropian,” përfundoi von der Leyen. /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *