Wesley Clark në Hagë: UÇK-ja nga të konsideruar terroristë, u bënë luftëtarë lirie

Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Hagës, gjenerali amerikan Wesley Clark foli për perceptimet e hershme ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë të lirisë.

I pyetur nga prokurori Matt Halling nëse gjatë fushatës së bombardimeve duhej të mbahej një distancë nga UÇK-ja, Clark e mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se i kishte kërkuar ndihmë Hashim Thaçit në atë kohë.

“Jo, kjo nuk është e saktë. Për këtë arsye fola me Thaçin. I kërkova të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, të vlerave, të etikës dhe të demokracisë. Në një moment të caktuar, kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë të lirisë. Opinioni dhe konsensusi botëror arrijnë në përfundimin se njerëzit kanë të drejtë të rezistojnë ndaj presionit të luftës. Kjo është e përfshirë edhe në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara”, tha Clark.

Ai theksoi se që nga viti 1974, kur Kosova kishte një status të veçantë administrativ, atë e kishte fshirë politika e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Sipas tij, në një pikë të caktuar, populli u organizua në mënyrë kolektive dhe u shndërrua në çlirimtar.

“Mbrotja kolektive e popullit të vet”, shtoi Clark.

Ai përmendi edhe një moment kur diplomati amerikan Robert Gelbard e kishte quajtur familjen Jashari terroriste, por sipas Clark, për këtë deklaratë Gelbard kishte marrë vërejtje nga lidershipi amerikan.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *