Wolt në Kosovë: Rritje e shpejtë dhe synime për zgjerim

Pas një viti operimi në Kosovë, platforma ndërkombëtare e porosive dhe shpërndarjes Wolt raporton rritje të shpejtë, kërkesë të lartë nga konsumatorët dhe një mirëpritje të gjerë nga bizneset lokale.

Në një intervistë për Telegrafi për Biznes, drejtori i Wolt për Kosovë dhe Shqipëri, Lissandri Dragoj, foli për hyrjen në treg, veçoritë e konsumatorëve, sfidat e para dhe planet strategjike të kompanisë për vitin e ardhshëm.

Sipas Dragoit, vendimi për t’u bërë pjesë e Wolt-it ishte i natyrshëm për shkak të ndikimit që kompania sjell në komunitet. “Produkti i Wolt nuk është një domosdoshmëri, por zgjidh një nevojë dhe ua lehtëson jetën përdoruesve”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Wolt funksionon si një platformë teknologjike që lidh konsumatorët, bizneset dhe korrierët në një sistem të integruar, duke ofruar efikasitet dhe shpejtësi. Koha mesatare për dorëzim në Kosovë është rreth 30 minuta, çka e bëri shërbimin të dallohet që në fillim.

Dragoj vlerësoi se popullsia e re dhe e lidhur me teknologjinë në Kosovë dhe Shqipëri ka ndikuar në adoptimin e shpejtë të platformës. “Tregu konsumator në këto vende, veçanërisht në Kosovë, përbëhet kryesisht nga të rinj, të cilët janë bartësit kryesorë të inovacionit”, tha ai.

Ai shtoi se edukimi i tregut ka qenë më i lehtë, ndërsa bizneset lokale e kanë parë Wolt-in si mundësi për të zgjeruar shërbimin dhe për të menaxhuar klientët në mënyrë më efikase.

Përveç funksionit të porositjes, Wolt ofron shërbime për menaxhimin dhe promovimin e bizneseve. Platforma lejon ndërtimin e fushatave të personalizuara të marketingut për tërheqjen e klientëve të rinj dhe ruajtjen e atyre ekzistues. “Wolt u jep mundësi bizneseve të menaxhojnë bazën e klientëve dhe të zhvillojnë fushata të synuara”, shpjegoi Dragoj.

Aktualisht, në Kosovë operojnë mbi 300 korrierë në Prishtinë dhe Ferizaj. Megjithatë, është ngritur shqetësimi për sigurinë e tyre në trafik. Dragoj tha se kompania po investon në trajnime dhe pajisje sigurie, duke theksuar se përdorimi i motorëve është kulturë e re në vend dhe kërkon kohë për t’u zhvilluar.

Sa i përket preferencave të konsumatorëve, ai vuri në dukje se ushqimet e shpejta janë më të kërkuarat, por me kalimin e kohës pret që të rritet kërkesa për produkte më të shëndetshme.

Për vitin e ardhshëm, synimi i Wolt është të zgjerojë aktivitetin në sektorin e retail-it, përfshirë farmacitë, supermarketet, dyqanet e teknologjisë, veshjeve dhe kategori të tjera. “Objektivi për vitin që vjen është pozicionimi në dërgesat e retail-it. Kërkesa për t’u bërë pjesë e platformës është e lartë, ndaj përzgjedhja do bëhet me kujdes”, tha Dragoj.

Në fund të intervistës, ai falënderoi partnerët dhe konsumatorët në Kosovë e Shqipëri për besimin dhe bashkëpunimin.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=vQdXPn7408I

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *