Pas përfundimit të ndeshjeve të fundit, janë konfirmuar 42 nga 48 pjesëmarrësit e Kupës së Botës 2026, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Gjashtë vendet e mbetura do të përcaktohen përmes ndeshjeve ‘play-off’, katër përmes raundit evropian dhe dy nga ‘play-off’-i ndërkontinental.
Për zonën evropiane, 16 ekipe janë ndarë në katër vazo dhe do të luajnë në një format ku zhvillohen gjysmëfinale dhe finale me nga një ndeshje. Fituesit e sfidave do të sigurojnë kualifikimin për në Botëror.
Vazot janë si vijon:
– Vazoja 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina.
– Vazoja 2: Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Uellsi.
– Vazoja 3: Bosnje dhe Hercegovina, Irlanda, Kosova, Shqipëria.
– Vazoja 4: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut.
Për ‘play-off’-in ndërkontinental, gjashtë ekipe do të garojnë për dy vende të mbetura. Katër prej tyre — Bolivia, Xhamajka, Kaledonia e Re dhe Surinami — do të luajnë në gjysmëfinale. Fituesit e këtyre ndeshjeve do të përballen në finale me Irakun dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Shorti për të dyja fazat e ‘play-off’-it do të hidhet nesër në orën 13:00, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në muajin mars të vitit 2026.