Një cenueshmëri serioze në WhatsApp ka nxjerrë në pah se numrat e telefonit të miliarda përdoruesve kanë qenë të qasshëm lehtësisht nga këdo, përfshirë edhe grupe hakerash. Këtë e kanë zbuluar studiues austriakë, të cilët arritën të identifikonin të dhënat e kontaktit për 3.5 miliardë përdorues të shërbimit.
Për rreth 57% të tyre, studiuesit patën akses edhe në fotot e profilit, ndërsa për 29% të tjerë, edhe në tekstet e profileve. E gjithë kjo u bë pa përdorur asnjë metodë sofistikuar hakimi; ata thjesht shtuan masivisht numra telefoni përmes ndërfaqes së WhatsApp Web, një proces që WhatsApp e lejon për të identifikuar nëse një numër është i lidhur me një llogari.
Në fillim të vitit, studiuesit arritën të kontrollonin deri në 100 milionë numra në orë. Megjithëse Meta – kompania mëmë e WhatsApp – ishte paralajmëruar për këtë problem që në vitin 2017 nga një studiues tjetër, nuk mori masa për të ndaluar këtë lloj qasjeje derisa u njoftua sërish në prill 2025 nga studiuesit austriakë.
Vetëm në tetor, kompania vendosi një kufizim të shpejtësisë për të parandaluar mbledhjen masive të të dhënave. Sidoqoftë, kjo lëvizje erdhi pas vitesh ku sistemi mund të ishte shfrytëzuar nga aktorë të keqdashës.
Meta ka deklaruar se të dhënat e marra ishin “informacion bazik dhe publikisht i disponueshëm” dhe se fotot apo tekstet e profileve që ishin bërë private nga përdoruesit nuk ishin të aksesueshme. Ajo gjithashtu theksoi se “nuk janë gjetur prova të abuzimit nga aktorë të dëmshëm” dhe se “asnjë e dhënë jo-publike nuk ishte e arritshme për studiuesit”.