Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në sektorin e mbrojtjes. Ukraina synon të blejë 100 aeroplanë luftarakë të tipit Rafale, të cilët janë prodhim i kompanisë franceze Dassault. Këta aeroplanë janë të gjeneratës 4.5 dhe cilësohen si ndër më të avancuarit në Evropë.
Zelensky mbërriti në një bazë ajrore pranë Parisit ku u prit nga Macron për ceremoninë e nënshkrimit. Gjatë vizitës në bazën ajrore Villacoublay, ai inspektoi armët e avancuara franceze, përfshirë aeroplanët Rafale dhe sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP/T. Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm si aleate e Ukrainës që nga pushtimi i plotë i vendit në vitin 2022, duke furnizuar Ukrainën me aeroplanë luftarakë Mirage 2000, artileri dhe raketa SCALP me rreze të gjatë veprimi.
Vizita e Zelenskyt bën pjesë në një turne mes aleatëve evropianë, ndërsa ai tenton të forcojë mbështetjen për Kievin përballë sfidave të dimrit në vijim dhe sulmeve ruse ndaj rrjetit të energjisë elektrike të Ukrainës.