Një zjarr i madh ka përfshirë më shumë se 170 ndërtesa në qytetin bregdetar Oita, në jug të Japonisë. Zjarri vazhdoi të digjej gjatë natës dhe ende nuk është shuar plotësisht, bëri të ditur të mërkurën Agjencia Kombëtare e Zjarrfikjes.
Sipas njoftimeve, zjarri shpërtheu të martën rreth orës 17:40 me kohën lokale në distriktin Saganoseki, duke detyruar rreth 175 banorë të evakuohen dhe të strehohen në një qendër emergjente.
Autoritetet kanë raportuar për një person të zhdukur, ndërsa shkaku i zjarrit është ende në hetim. Pamjet ajrore të publikuara nga mediat lokale tregojnë shtëpi të shkatërruara dhe re të mëdha tymi që ngrihen mbi zonën kodrinore pranë portit të peshkimit, të njohur për skumbrin e markës “Seki”.
Me kërkesë të guvernatorit të prefekturës Oita, një helikopter ushtarak zjarrfikës është angazhuar për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. Ndërkohë, raportohet se zjarri është përhapur edhe në zonat pyjore përreth.
/Telegrafi/