Një zjarr përfshiu kulmin e një ndërtese banimi mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë, ku si pasojë tre persona u dërguan për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i Njësisë së zjarrfikësve në Fushë Kosovë, Malë Gashi, konfirmoi për Telegrafin se zjarri ka shpërthyer rreth orës 07:54.
“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Po digjej kulmi i përbashkët i disa banesave. Për një kohë të shkurtër u arrit që zjarri të vihet nën kontroll. Tashmë jemi në përfundim të intervenimit. Sipas informatave, një banor ka marrë ndihmën e parë për shkak të tymit”, deklaroi Gashi.
Edhe policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës për zjarrin.
“Sot, rreth orës 08:00, kemi pranuar informatën për një zjarr aktiv në një objekt banimi në rrugën ‘Shtjefën Gjeçovi’, në Fushë Kosovë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor emergjent. Sipas të dhënave fillestare, tre persona janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Zjarri është lokalizuar dhe hetimet për shkaqet janë në vijim”, tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit janë duke vazhduar.